klub
Shkruan: Dr. Sevdail Demiri
 

Arsimimi në gjuhë amtare i popujve të shtypur, gjithmonë është rezistuar dhe penguar nga ana e pushteteve. Përmes pengimit të shkollimit dhe diturisë, ata janë munduar që sa më tepër ta zgjasin periudhën e shtypjes ndaj popullit të nënshtruar. Një fat të tillë patën edhe shqiptarët gjithandej trojeve etnike.

Gjatë pesë shekujve të Perandorisë Osmane në këto hapësira, gjuhë e vetme zyrtare në të cilën zhvillohej procesi arsimor, ishte turqishtja. Vetëm në vitet e fundit të saj, u soll një frymë më liberale ndaj popujve të shtypur, të cilëve iu mundësua hapja e shkollave në gjuhën amtare. Në historiografinë shqiptare, 7 marsi i vitit 1887, shënohet si dita kur u hap shkolla e parë shqipe. Por hovin më të madh zhvillimor, arsimi dhe kultura shqiptare do ta përjetojë me ardhjen në pushtet të ‘turqve të rinj’ (xhonturqve) në vitin 1908, të cilët kishin për mision ruajtjen e perandorisë nga shkapërderdhja, me synimin e reformimit të saj. Ndër të tjera, ata duhej bërë koncesione edhe në raport me të drejtat kombëtare të popujve të nënshtruar, ku në rend të parë ishte zhvillimi i arsimit dhe kulturës në gjuhë amtare. Në këtë vit, u zhvillua një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare – Kongresi i Alfabetit në Manastir, kur burrat më të mençur të kohës, përpiluan alfabetin e sotëm shqip me shkronja latine, i cili do të bëhej një fondament i rëndësishëm i unifikimit të shqiptarëve në të gjitha aspektet.

Aktit të madhërishëm të Kongresit të Alfabetit, si një nga projektet më markante të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, i kishte paraprirë themelimi i klubeve të shumta në vilajetet shqiptare, të cilat i dhanë një hov zhvillimit arsimor e kulturor të kombit shqiptar. Më 31 korrik 1908 u themelua klubi “Bashkimi” i Manastirit, i cili me shembullin e tij vizionar vazhdoi të zgjerohej gjithandej trojeve shqiptare. Klube me po të njëjtin emër dhe me qëllime të ngjashme – avancimin kulturo-arsimor dhe propagandimin e bashkimit të vilajeteve shqiptare, do të themelohen edhe në Korçë, Vlorë, Elbasan, Shkodër, Shkup, Tetovë, Berat, Selanik, Stamboll, Pogradec, Janinë, Preshevë, etj. Numri i përgjithshëm i këtyre klubeve në hapësirën etnike shqiptare, llogaritet të ketë arritur deri në 40. Këto klube shërbyen si vatra shkollore e kulturore, në të cilat u botuan libra e gazeta shqipe, dhe u morën vendime të rëndësishme për të ardhmen e kombit.

Në këto konstelacione do të nis udhën edhe arsimi shqip në rajonin e Kumanovës, si një nga trevat më lindore të tërësisë etnike shqiptare. Në fillim të vitit 1909, me nismën e atdhetarit të devotshëm dhe iluministit të shquar me prejardhje dibrane, Jashar Erebara[1],themelohet “Klubi Shqiptar i Kumanovës”, i cili lirisht mund të cilësohet edhe si vatra e parë e arsimit shqip në këto treva.

Shkolla e natës në kuadër të Klubit kishte filluar me punë pak kohë pas hapjes së tij, por mungon ndonjë datë ekzakte. Njoftimin e parë për hapjen e kësaj shkolle e gjejmë në një letër të datës 1 mars 1909, ku në formë të poshtëshënimit gjendet data 27.02.1909. Kjo u ka dhënë mundësinë studiuesve të arrijnë në përfundimin se shkolla shqipe në kuadër të Klubit të Kumanovës u hap në shkurt të vitit 1909. Në letrën e cila me sa duket iu është drejtuar Klubit të Manastirit ose ndonjërës prej shoqërive të kolonisë së Bukureshtit, me të cilat mbante lidhje Jashar Erebara, thuhet se ‘Ju bëjmë me dit se ne këtu hapmë një klub e shkollë shqiptarësh’. Megjithatë nuk thuhej shprehimisht se në cilën datë ishte haur shkolla. Nuk përjashtohet mundësia që ajo të ishte hapur edhe më parë, pra në fund të vitit 1908[2].

Dokumente të shumta historike të kohës, dëshmojnë për jehonën dhe aktivitetin e thekuar me karakter kombëtar të këtij klubi. Në vazhdim, një pjesë së veprimtarisë së tij do ta mësojmë përmes shfletimit të disa dokumenteve të Arkivit Qendror të Shqipërisë, të cilat parimisht dëshmojnë për dorëzimin e vulës së Klubit Shqiptar të Kumanovës në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë në Tiranë. Përmes këtyre dokumenteve, disa nga të cilat pjesërisht edhe janë publikuar më parë nga historianët tanë, dalin në ndritë personalitete dhe ngjarje të tjera që kanë rëndësi historike për trevën shqiptare të Kumanovës.

Klubi Shqiptar i Kumanovës ishte themeluar në janar të vitit 1909, ndërsa përurimi i tij ishte bërë në fillim të muajit shkurt të po atij viti, ku kishin marrë pjesë veprimtarë të shumtë nga Klubi i Shkupit, si Qemal dhe Emin Kumbara, Hajdin Draga, Rrok Berisha, Luigj Naraçi, Bedri Pejani, etj…[3].

Edhe pse në vulën e Klubit Shqiptar të Kumanovës shihet qartë se nuk qëndron emri ‘Bashkimi’, por vetëm se ‘Klubi Shqiptar’ i shkruar në shqip, turqisht dhe arabisht, bazuar në faktin se të gjitha klubet e kësaj lëvizjeje kombëtare mbanin emrin ‘Bashkimi’, sidomos ai i Manastirit dhe i Shkupit, të cilët patën më së shumti ndikim në formimin edhe të Klubit të Kumanovës, atëherë s’do mend se edhe ky i fundit duhej të jetë thirr me këtë emër. Qëllimi i këtyre klubeve, ishte që nëpërmjet bashkimit të shqiptarëve në planin arsimor dhe kulturor, të arrihet deri te bashkimi kombëtar.

“Iniciatori, vepruesi dhe mësuesi i këtij klubi ishte zotëri Jashar Erebara, me anëtarë Ismail Çaushin prej Tirane, Qazim Sejdinin prej Elbasani (kapiten në ushtrinë turke), Galip Kumanova dhe të tjerë kumanovas, si dhe Shaqir Gjakova (tregtar), Haxhi Ibrahimi (tregtar) dhe Bajram Aga Vranja. Qëllimi i klubit ishte me mësue, me këndue dhe me shkrue gjuhën shqipe, dhe për këtë arsye u organizue një shkollë nate. Menjëherë, më shumë se 30 nxënës të vegjël filluan me e ndjekë këtë kurs, dhe brenda një kohe të shkurtë numri arrit në 90 veta, të cilët filluan me shkrue e me këndue gjuhën amtare”[4].

Edhe njëri nga bashkëveprimtarët e Erebarës, Bedri Pejani, në memoaret e tij dokumenton se në këtë klub, në kuadër të shkollës së natës, rregullisht mësonin shkrim-leximin në gjuhën amtare nga 20-30 nxënës të të gjitha moshave. “Klubi po bënte bënte punë të lakmueshme dhe ishte kthyer në një shkollë të vërtetë kombëtare[5].

Dokumenti i kohës flet se sa jehonë të madhe kishte veprimtaria e këtij klubi, e cila kishte zgjeruar gamën e përdorimit të gjuhës tonë, edhe pse Kumanova shqiptare ndodhej në rrezik të vazhdueshëm karshi serbëve e bullgarëve. “Shqipja filloj me u fol gjithandej nëpër qytet dhe kjo ishte një punë e madhe, tuj u gjetë qyteti i Kumanovës në kufi me Serbinë”.[6]

Përpos drejtuesit dhe mësuesit të parë të Klubit Shqiptar të Kumanovës, Jashar Erebara, mësues tjetër i kësaj shkolle nate ishte Anastas Arnaudovi, shqiptar ortodoks nga ana e Rekës, i cili në atë kohë punonte si mësues edhe në një shkollë bullgare në Kumanovë. Dokumenti në vazhdim flet për një lloj admirimi që kishin qarqet bullgare të këtij qyteti për aktivitetin iluminist të shqiptarëve, por dhe hasmërinë dhe inatin e papërmbajtur të serbëve, të cilët në të gjitha format mundoheshin ta pengonin punën e klubit dhe shkollës shqipe. Njëkohësisht bëhet me dije se punën e këtij klubi e kishte mbështetur fuqishëm edhe kajmekami i Kumanovës, i cili ishte me prejardhje shqiptare.

Në këtë kurs nate, përveç Jashar Erebarës, që ishte shpirti i kësaj lëvizje shqiptare, ndodheshe edhe një mësues tjetër, një rekas, A.Anastasi[7], që mësonte edhe në shkollën bullgare të vendit. Me të vërtetë, popullsia qytetare bullgare simpatizonte këtë lëvizje shqiptare, por serbët jo, dhe shikojshin si e tek me e pengue, tuj u tregue autoriteteve turke aktivitetin e shqiptarëve. Kajmekami Nexhib Pasha Pejani, ashtu ishte parija i vendit, sado që ndodheshin kohëra kritike, nuk e pengonte fare këtë vepër patriotike të z.Jashar Erebara. Klubi në fjalë pat nderin me u vizitue prej anëtarëve të Klubit Shqiptar të Shkupit: z.Rrok Berisha, Ajdin Draga, Kemal bej Kumbara dhe Luigj Naraçi e të tjerë, që mbetën shumë të kënaqur[8].

Jehona e madhe që kishte bërë ky klub në mesin e shqiptarëve të Kumanovës atëbotë, përpos rritjes në numër, kishte shtuar edhe nevojën e pajisjes me materiale mësimore, shumica e të cilëve vinin nga klubet simotra, e sidomos nga Klubi i Shkupit, i Manastirit dhe kolonitë shqiptare të Bukureshtit, me të cilat kishte lidhje Erebara. Një nga arritjet më të mëdha ishte hartimi dhe botimi i abetares së njohur “ABECEJA SHQIPE” e Kumanovës, e cila, edhe pse pa siglën e autorit, shumë studiues janë të mendimit se bëhet fjalë për Jashar Erebarën. Ai ishte kryeredaktor i gazetës së parë shqipe të Shkupit me të njëjtin emër (“Shkupi”), ndërsa shumica e studiuesve pajtohen me faktin që abetarja në fjalë ishte botuar si shtojcë në njërin nga numrat e kësaj gazete dyjavore, e cila shtypej në shtypshkronjën e Klubit të Manastirit. Motoja e kësaj abetareje ishte: ‘Në çdo moshë që të jesh, për një javë shqipen e mëson dhe e shkruan’[9]. “Abeceja shqipe” e Kumanovës përfshinte 30 njësi mësimore, nga të cilat 12 i përkisnin abetares dhe 18 ishin pjesë leximi.

Tek shqiptarët e anës së Kumanovës kishte lindur një dritë e re e dijes, pas një errësire të gjatë, andaj ishin në gjendje që këtë klub ta ndihmojnë në të gjitha format, dhe natyrisht edhe me mjete materiale. Prandaj në dokument mund të lexohet fare mirë decidivisht se “Shpenzimet i pagojshin vendalitë[10]. Pra, shqiptarët e anës së Kumanovës kishin një respekt të jashtëzakonshëm për këtë nismë dhe si të tillë e përkrahnin në të gjitha format e nevojshme. Ndërsa, nuk mungonin edhe këshillat publike atdhetare të kreut të këtij klubi, i cili po ndjente ardhjen e ndryshimeve të reja në skenën ballkanike, të cilat do të jenë kobzeza për shqiptarët. “Në klub mirshin pjesë tërë shqiptarët e qytetit si dhe të kazasë, se Jashar Erebara na thoshte: Mësoni gjuhën e juaj, punoni të bëhet Shqipëria etnike, se përndryshe këto vende do t’i merr serbi[11].

Më tej në njërin nga dokumentet e kohës flitet për mjerimin e shqiptarëve të Kumanovës dhe më gjerë, vrasjet dhe burgosjet e shqiptarëve pas hyrjes së pushtuesve serbë në këto treva gjatë luftërave ballkanike (1912-1913). “Tani serbët i akuzojnë shqiptarët se këtu në Kumanovë, në kohën e Turqisë kemi pasur klub e shkollë shqipe. E nga ky shkak, policia serbe ka burgosur Muharrem Shaqirin – tregtar nga Gjakova si dhe Ahmet Jakubin – sahatxhiun nga Presheva. Kanë burgosë edhe Arif Vehbiun, të birin e myderrizit, i cili kishte marr pjesë edhe në Lidhjen e Prizrenit. Si duket serbët duan me taktikë me e faros kombin shqiptar nga Kosova[12].

Me interes të veçantë është edhe një dokument tjetër i Arkivit Qendror të Shqipërisë, që flet për gjendjen e shqiptarëve të Kumanovës në atë kohë. “Kumanova është një qytet gjysma shqiptarë e bullgarë. Meqenëse kanë tokë e bëjnë bukë, që të gjithë janë të pasur. Qyteti ka mbi 1500 shtëpi. Megjithëse nga zullumi i serbëve, shqiptarët jo vetëm të qytetit, por edhe të katundeve, me shumë lloje mjerimi i shtrëngojnë të ikin në Turqi[13].

Pra, siç shihet ky hov iluminizmi në Kumanovë dhe në Vilajetin e Kosovës me qendër në Shkup, nuk kishte zgjatur më shumë se tre-katër vjet. Me fillimin e luftërave ballkanike, Luftës së Parë Botërore dhe rënies së kësaj pjese të trojeve shqiptare nën pushtimin serb, do të ndërpritet çdo lloj aktiviteti arsimor e kulturor i atdhetarëve shqiptarë. Shteti serb, karshi vrasjeve, burgosjeve e depërtimit të shqiptarëve në Turqi, në këto hapësira do të lejojë funksionimin vetëm të shkollave laike në gjuhën serbe dhe shkollave fetare në gjuhët orientale turke-arabe (mejtepe dhe medrese). Në këto të fundit ku ligjëronin hoxhallarë përparimtar shqiptarë, shpeshherë shqipja u mësohej nxënësve fshehurazi. Kjo periudhë e zymtë për arsimin dhe kulturën shqiptare në këto troje, do të zgjasë deri në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, kur do të fillojë organizimi institucional i shkollave shqipe.

Megjithatë, funksionimi i Klubit Shqiptar të Kumanovës ‘Bashkimi’, dëshmon për punën e palodhshme të atdhetarëve shqiptarë për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës amtare shqipe, në kornizat kohore kur u mundësohej një gjë e tillë. Përmes këtij klubi kishin kaluar edhe shumë personalitete të shquara, të cilët farkëtuan pavarësinë e shtetit shqiptar të 1912-tës, si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Jashar Erebara, Bedri Pejani, Nexhib Draga, Emin Kumbara, etj. Veç kësaj, këto ngjarje dëshmojnë edhe për vrullin çlirimtar të shqiptarëve të Vilajetit të Kosovës, të cilët me të gjitha format e mundshme, po përgatisnin aktin e pavarësisë së Shqipërisë të zhvillohej në kryeqendrën shqiptare – Shkup, synim ky që nuk realizua për shkak të rrethanave tjera.

Prandaj, është e nevojshme që këto aktivitete kombëtare dhe personalitete madhore të kombit tonë, të kujtohen me pietet të lartë, veçanërisht në jubile të rëndësishëm, siç është edhe ky 100 vjetor i pavarësisë së Shqipërisë.
  

[1] JASHAR EREBARA u lind në Dibër më 1873, u shkollua në Shkup dhe Bukuresht, atdhetar dhe intelektual i shquar. Ishte kryeredaktor i gazetave “Albania” në Beograd e “Shkupi”  në Shkup, pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë më 1912, bashkëthemelues  i “Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës”, deputet i Dibrës, nëpunës statistike në Kumanovë, etj. Nën udhëheqjen e tij u formua “Klubi Shqiptar i Kumanovës”. Ky klub hartoi abetaren e njohur “ABECEJA SHQIPE” e Kumanovës, ku mësohej shkrim-leximi. Jashar Erebara ndërroi jetë më 24 qershor 1953 në Tiranë;
[2] Dr.Naim Halimi, Lëvizja Kombëtare Shqiptare në trevën e Karadakut 1908-1912, Kumanovë, 2001, fq.97-98;
[3] Raporti i konsullit austro-hungarez nga Shkupi, Lukes, n.34, dt.16 shkurt 1909, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë; Shih edhe: Dr.Ramiz Abdyli, Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1908-1910, Libri 1, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2004, fq.81-82;
[4] AQSH, Tiranë, Fondi 23, Dosja 71, fleta 1;
[5] “Lirija”, nr.56, Selanik, 8 gusht 1909, 2, Bedri Ipeku, Letër pi Shkupi; Dr.Ramiz Abdyli, Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1908-1910, Libri 1, IH, Prishtinë, 2004, fq.82;
[6] AQSH, Tiranë, Fondi 23, Dosja 71, fleta 2;
[7] Në dokumentet tjera të AQSH, Fondi 23, Dosja 45, Fleta 1 dhe 6, thuhet se: “Anastas Arnaudov – ishte ortodoks shqiptar nga Tërnica e Rekës së Gostivarit, dhe njëkohësisht mësues në shkollën bullgare (gjimnazin e vogël) në Kumanovë”;
[8] Po aty;
[9] Tefik Jahiu, Arsimi shqip në Kumanovë, Kumanovë, 1996, f.29;
[10] AQSH, Tiranë, F.23, D.45, fl.6;
[11] AQSH, Tiranë, F.23, D.45, fl.2;
[12] AQSH, Tiranë, F.23, D.45, fl.3;
[13] AQSH, Tiranë, F.23, D.45, fl.1