Gazeta LAJM, Shkup, 10.4.2017 – Një dokument arkivor, i zbuluar së fundi në Arkivin Qendror të Shqipërisë në Tiranë, ringritë çështjen e mirënjohjes së një qytetari të Shkupit, për kontributin e tij në shpëtimin e dhjetëra hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ai quhej Veli Meliqi (1912-1995), nga Rezhanca e Hanit të Elezit-Kaçanikut, aty ku asokohe ndodhej kufiri mes zonës pushtuese bullgare dhe asaj italiane (shqiptare) andej kufirit. Përmes tregtisë që zhvillonte në relacionin Shkup-Kaçanik, ai ishte njohur me njerëz të feve dhe etnive të ndryshme, pa kurrfarë paragjykimesh. Duke qenë njeri filantrop, i guximshëm, por edhe burrë i besës, nëpër duartë e tij kishin shpëtuar gjithsej 16-17 hebrenj, duke i kaluar drejt Shqipërisë, derisa regjimet fashiste po i ndiqnin të gjithë qytetarët me origjinë hebreje, për t’i asgjësuar në kampet e përqendrimit.

Dokumenti në fjalë është në italishte, dhe paraqet rrëfimin e Sabeto Kariglio, para autoriteve policore shqiptare më 23 qershor të vitit 1943. Aty Kariglio thekson se është i lindur në Shkup, më 17.09.1902, dhe se është me origjinë nga Spanja, me nacionalitet bullgar dhe me fe hebreje. Më tej rrëfimi i tij i dokumentuar vazhdon: “Jam marrë vesh me një mik turk VELI (Veli Meliqi ishte shqiptar mysliman, i cili asokohe e fliste gjuhën turke, sikurse shumica e shqiptarëve, SD), i cili më prezantoi me një shqiptar prej të cilit e kuptova edhe emrin, i cili duhej të më shoqëronte nga këtu nëpër malet e Kosovës, në Ferizaj, Përmet… Po ky i njëjti shqiptar, në momentin kur arritëm në Ferizaj, më këshilloi që të marr një letërnjoftim në emrin tim të vërtetë, pa asnjë lloj pagese apo shpërblimi tjetër shtesë…”.

Rrëfimi i tij mandej përqendrohet deri në shpëtimin dhe strehimin e tij nëpër disa vende shqiptare, dhe peripecitë e kaluara me sëmundjen që e kishte kapluar.

Ndërsa, një rast tjetër shumë i kthjellët, ështe ai i familjes pesëanëtarëshe Frances nga Shkupi, shpëtimi i të cilëve bëhet pas urdhrit të autoriteteve naziste bullgare, e njohur si “Obznana” (11 mars 1943), për grumbullimin dhe deportimin e të gjithë hebrenjve drejt kampit famëkeq Treblinka, ku ishin shuar gjithsej 7.148 hebrenj nga territori i Maqedonisë.

Ramadan Meliqi (i lindur më 1936), djali i Veli Meliqit, gjatë asaj kohe ishte fëmijë shtatëvjeçar, por mjaft mirë i kujtohen ato ngjarje të rrufeshme. Madje e përcjell në origjinal tregimin e babait të tij, Veliut, gjatë shpëtimit shumë të mundimshëm të familjes Frances. Konkretisht, bëhej fjalë për kryefamiljarin Mois, nënën e tij Ester, gruan Vinka, djalin Marsel dhe vajzën Eni (Ester). Në intervistën tonë, Ramadan Meliqi shpjegon se si ishin takuar Todor Haxhi-Mitkov me Veli Meliqin, në dyqanin e njohur të esnafit Mahmut Idrizi në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Haxhi-Mitkov iu kishte lutur Meliqit që t’i gjejë qare familjes mike hebreje Frances, të cilën disa ditë e kishte strehuar në shtëpi, por tani më nuk mund ta mbante, frika se mos zbulohej nga ana e autoriteteve. Atëherë Veli Meliqi i kishte dhënë besën se me lejën e Zotit, atë familje të rrezikuar do ta përcillte andej kufirit drejt Shqipërisë. Në mbrëmje, pesë hebrenjtë ishin ngarkuar në kuaj, ndërsa gratë ishin mbuluar me veshje myslimane.

Ramadan Meliqi kujton se gjatë asaj rruge të gjatë dhe shumë të mundimshme, një pengesë të madhe kishin pasur edhe gjatë kalimit të lumit të Lepencit, i cili ishte trazuar shumë. Në atë gjendje, Veli Meliqi me shoqëruesin, i kishin marrë në krah dy fëmijët dhe nënën e Mois Frances, duke i kaluar nëpër ujë andej lumit. Qëndrojnë dy orë në fshatin Nigishtan, pastaj stacionohen në shtëpitë e Meliqve në Han të Elezit, ku qëndrojnë dy ditë e një natë. Pastaj në mbrëmje vazhdojnë udhëtimin drejt pjesës kufitare.

Në zonën e kufirit ndërmjet fshatrave Gajre dhe Gerlicë, Veli Meliqi me kuajtë e mbushur me hebrentjë, takohet me ruajtësit e kufirit, fshatarë shqiptarë që kishin marrë obligim në atë shteg të mos lejonin kalime ilegale. Meliqi fjaloset rëndë me “ruajtësit e kufirit”, të cilët kërkonin kthimin mbrapa se do t’i lajmëronin forcat bullgare. Derisa zgjatë fjalimi i ashpër, Meliqi u kishte bërë me shenjë karvanit që të vazhdonte rrugën… Ndërkohë që penguesit zbrapsen nga qëllimi, hebrenjtë ishin larguar nga zona e rrezikut. Veli Meliqi e tërheq koburen në brez dhe me vrap shkon drejt karvanit, të cilët i njofton se e kanë kaluar rrezikun kryesor dhe se shumë afër jemi në tokën e kontrolluar nga Mbretëria shqiptare.

Posa kalojnë në fshatin e Meliqve, aty stacionohen derisa gjejnë lidhjen tjetër drejt brendisë së Shqipërisë. Pastaj familja e shpëtuar hebreje Frances, përfundon te familja shqiptare Kasapi në Tiranë, ku qëndron derisa ndryshoi situata politike, përkatësisht derisa ra sistemi fashizmi.

Në fund të vitit 1945, familja Frances kthehet në Shkup, ku e kishte vizituar edhe Veli Meliqin me familjen, dhe e kishte falënderuar për gjithë kontributin e dhënë në shpëtimin e jetëve të tyre.

Në vitin 1948, pas themelimit të shtetit izraelit, familja Frances emigron në Izrael.

Emri i Veli Meliqit, sot nuk gjendet në memorialin e njohur të Jad Vashemit në Jerusalem, dhe kjo ka një shpjegim të thjeshtë. Realisht, shumica e shoqërisë shqiptare-myslimane e asaj kohe në Shkup e rethinë, nuk i afirmonte aq vlerat universale të njeriut në kuptimin e sotëm, dhe “lavdërimi” në publikë se ke shpëtuar hebrenj, nuk të sillte ndonjë imazh shumë pozitiv. Prandaj, deri në vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar, nuk ishte shpalosur kjo e vërtetë.

Për herë të parë vetë Veli Meliqi ishte rrëfyer para një gazetarit shqiptar (Fadil Curri, “A(h) fati(h) ynë në peshojë”, Shkup, 1994), pasiqë familja hebreje Frances e kishte vizituar familjen Meliqi në Shkup në vitin 1989. Madje, sipas rrëfimit të Ramadan Meliqit, vetë znj.Eni (Ester), gjatë kësaj vizite në Shkup, i kishte nënshkruar një kujtim në fotografinë e përbashkët, në gjuhën hebraike, por fatkeqësisht, ajo fotografi – dëshmi, u ka humbur.

Në regjistrin e “Të drejtëve”, në Qendrën Përkujtimore Botërore të Holokaustit “Yad Vashem” në Jerusalem, sot fugurojnë emrat e gjashtë familjeve maqedonase (10 anëtarë), konkretisht familjet: Altiparmak, Cekada, Siljanovski, Todorov, Ribarev dhe Haxhi-Mitkov. Dy familjet e fundit (Ribarev dhe Haxhi-Mitkov), janë dekoruar për rastin e shpëtimit të familjes së lartpërmendur Frances.

Madje, Ramadan Meliqi kujton një moment kur vjen një delegacion nga Izraeli në Shkup, për t’i sjellë dekorata Haxhi-Mitkovit. Ky i fundit kur e pranon mirënjohjen, para masës së tubuar çohet në këmbë dhe me gishtin drejtuar Veli Meliqit, i pranishëm në sallë, thotë “Këtë mirënjohje ia dedikoj atij mikut tim Veliut, që është në fund të sallës. Ai është heroi i shpëtimit të hebrenjve”!

Objektivisht, derisa dihet fakti se të gjithë të mbijetuarit e Holokaustit kanë shpëtuar pikërisht duke e kaluar kufirin drejt Shqipërisë, e që në fakt, ai kufi nga të dyja anët popullohej nga qytetarë shqiptarë-myslimanë, shtrohet pyetja se a ka qenë e mundur që një joshqiptar-jomysliman ta kalojë atë kufi?! Pra, logjikisht, të gjithë hebrenjtë e shpëtuar nga Maqedonia, kanë kaluar në Shqipëri falë guximit të shqiptarëve-myslimanë, të cilët e kanë njohur mirë terrenin dhe i kanë pasur lidhjet miqësore dhe farefisnore me pjesën e Kosovës-Shqipërisë, gjë që ka bërë të mundur të kalonin pa probleme dhjetëra familjet hebreje në kohën kritike.

Besojmë se ka ardhur koha që përmes dëshmive të mjaftueshme, edhe emri i familjes Meliqi të shkruhet në mesin e “Të drejtëve”, në Qendrën Përkujtimore “Yad Vashem” në Jerusalem. Të mos zhduket një histori dhe një kujtim, asgjë më tepër!